"Kushtet shtesë të shërbimit" për përdoruesit fundorë të Google Maps

Modifikimi i fundit: 4 qershor 2025

Duke përdorur Google Maps ose çdo produkt ose shërbim të palëve të treta që ka të integruara shërbimet e "Platformës së Google Maps", ti, si përdorues fundor, duhet të pranosh (1) "Kushtet e shërbimit" të Google, dhe (2) këto "Kushte shtesë të shërbimit" të Google Maps ("Kushtet shtesë të Maps"). "Kushtet shtesë" të Maps përfshijnë me referencë Njoftimet ligjore për Google Maps/Google Earth dhe API-të e Google Maps/Google Earth.

Lexo me kujdes secilin prej këtyre dokumenteve. Së bashku, këto dokumente njihen si "Kushtet". Ato përcaktojnë se çfarë mund të presësh nga ne kur përdor shërbimet tona dhe se çfarë presim ne nga ti.

Nëse përdor veçoritë vetëm për tregtarët në Google Maps për të menaxhuar "Profilin e Biznesit", atëherë zbatohen "Kushtet" e "Profilit të Biznesit në Google" në https://support.google.com/business/answer/9292476 për atë përdorim.

Të inkurajojmë të lexosh Politikën tonë të privatësisë. Ajo shpjegon se çfarë informacionesh mbledhim, pse i mbledhim dhe si mund t'i përditësosh, menaxhosh, eksportosh dhe fshish informacionet e tua.

  1. Licenca. Për sa kohë i respekton këto "Kushte", "Kushtet e shërbimit" të Google të japin një licencë për të përdorur Google Maps, duke përfshirë veçoritë që të lejojnë:

    1. të shikosh hartat dhe të bësh shënime në to;

    2. të krijosh skedarë KML dhe listë treguesish të hartës; dhe

    3. të shfaqësh publikisht përmbajtje me atributimin e duhur online, në video dhe printime.

  2. Për më shumë detaje për gjëra specifike që të lejohet të bësh me Google Maps, shiko faqen e lejeve për Përdorimin e Google Maps, Google Earth dhe "Pamjes së rrugëve".

  3. Sjelljet e ndaluara. Përputhja nga ana jote me këtë seksion 2 është një kusht i licencës sate për të përdorur Google Maps. Kur përdor Google Maps/Google Earth, nuk mund (apo të lejosh ata që veprojnë në emrin tënd):

    1. të rishpërndash apo shesësh ndonjë pjesë të Google Maps apo të krijosh një produkt ose shërbim të ri bazuar në Google Maps;

    2. të kopjosh përmbajtjet (përveçse nëse të lejohet përndryshe që ta bësh këtë nga faqja e lejeve për Përdorimin e Google Maps, Google Earth dhe "Pamjes së rrugëve" ose nga ligji i zbatueshëm për pronësinë intelektuale, duke përfshirë "përdorimin e drejtë");

    3. të shkarkosh në masë apo të krijosh furnizime në masë të përmbajtjeve (apo të lejosh çdo person tjetër të bëjë këtë);

    4. të përdorësh Google Maps për të krijuar ose shtuar çdo grupim të dhënash në lidhje me hartat (duke përfshirë një grupim të dhënash të hartave ose navigimit, një bazë të dhënash të listimeve të bizneseve, listë email-esh ose listë telemarketingu) për përdorim në një shërbim zëvendësues ose shumë të ngjashëm me Google Maps; ose

    5. të përdorësh çdo pjesë të Google Maps me produkte ose shërbime të tjera të njerëzve për ose në lidhje me navigimin në kohë reale ose kontrollin autonom të automjetit, përveçse nëpërmjet një veçorie specifike të ofruar nga Google, siç p.sh. Android Auto.

  4. Kushtet aktuale; supozimi i rrezikut. Kur përdor të dhënat e hartave, trafikun, udhëzimet dhe përmbajtje të tjera të Google Maps, mund të shikosh se kushtet aktuale ndryshojnë nga rezultatet dhe përmbajtjet e hartave, prandaj përdor gjykimin tënd të pavarur dhe përdore Google Maps duke e marrë vetë parasysh rrezikun. Ti mban përgjegjësi për sjelljen tënde dhe pasojat e saj në çdo moment.

  5. Përmbajtjet e tua në Google Maps. Përmbajtjet që ngarkon, dorëzon, ruan, dërgon ose merr nëpërmjet Google Maps janë objekt i Kushteve të shërbimit të Google, duke përfshirë licencën në seksionin e quajtur "Leja për të përdorur përmbajtjet e tua". Sidoqoftë, përmbajtjet që mbeten në mënyrë ekskluzive lokale për pajisjen tënde (si p.sh. një skedar KML i ruajtur në nivel lokal) nuk ngarkohen apo dorëzohen te Google dhe, për këtë arsye, nuk janë objekt i asaj licence.

  6. Përdoruesit fundorë qeveritarë. Nëse po e përdor Google Maps si përfaqësues i një entiteti qeveritar, zbatohen kushtet e mëposhtme:

    1. Ligji rregullues.

      1. Për entitetet qeveritare në nivel qyteti ose shteti në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, seksioni i "Kushteve të shërbimit" të Google në lidhje me ligjin rregullues dhe juridiksionin nuk do të zbatohet.

      2. Për entitetet qeveritare federale të Shteteve të Bashkuara, seksioni i "Kushteve të shërbimit" të Google në lidhje me ligjin rregullues dhe juridiksionin do të zëvendësohet me sa më poshtë:

        “Këto kushte do të rregullohen dhe do të interpretohen dhe zbatohen në përputhje me ligjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës pa iu referuar konfliktit të ligjeve. Vetëm në masën e lejuar nga ligji federal: (A) ligjet e shtetit të Kalifornisë (duke përjashtuar rregullat e Kalifornisë për konfliktin e ligjeve) do të zbatohen në mungesë të ligjit të zbatueshëm federal; dhe (B) çdo mosmarrëveshje që lind nga ose në lidhje me këto "Kushte" ose Google Maps do të gjykohet ekskluzivisht në gjykatat federale të kontesë Santa Clara në Kaliforni dhe palët do të pranojnë juridiksionin personal në ato gjykata".

    2. Të drejtat e kufizuara për qeverinë e Shteteve të Bashkuara. Qasja ose përdorimi i plotë i Google Maps nga ose për qeverinë federale të Shteteve të Bashkuara është objekt i seksionit "Të drejtat e kufizuara të qeverisë së Shteteve të Bashkuara" në "Njoftimet ligjore" të Google Maps/Google Earth.